Home » 2011 » April » 17 » Vendosin penalltitë, “El Classico 1” pa fitues: 1-1
12:32
Vendosin penalltitë, “El Classico 1” pa fitues: 1-1

Përfundon në paqe e para nga katër përballjet radhazi mes Realit dhe Barcelonës. Në "Bernabeu”, sfidën e javës së 32-të të La Ligës e vendosin penalltitë e Mesit dhe Ronaldos në pjesën e dytë.

Mesi thërret, Ronaldo përgjigjet. I pari më në fund shënon ndaj një skuadre të drejtuar nga Hoze Mourinjo, i dyti realizon për herë të parë në portën e Barcelonës. Një barazim i drejtë që e lë në tetë distancën e pikëve mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll, kur kanë mbetur edhe gjashtë javë deri në fund të kampionatit.

Pas minutave të para që shërbyen për të studiuar njëra-tjetrën, skuadrat kalojnë në opsionin "on” dhe fillojnë të luajnë. Barça me zotërimin e zakonshëm të topit, Reali i ngjeshur në mesfushë duke synuar të bëjë keq me kundërsulmet e shpejta. "Shpikja” e radhës nga Mou ishte spostimi i Pepes në mesfushë dhe lënia në stol e Ozilit.

Gjysma e parë e lojës ka pak për të treguar: shumë tension e pak lojë e vërtetë. Të vetmet raste për t`u shënuar janë pritja e Kasiljasit pas gjuajtjes së Mesit dhe ndërhyrja shpëtimtare mbi vijë e Adrianos pas goditjes me kokë të Ronaldos pak para se ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes.

Krejt ndryshe pjesa e dytë, që nis me vrull. Është minuta e 51-të kur Albiol "mbërthen” David Vilën me duar pas qafës brenda zonës. Për gjyqtarin nuk ka dyshim: penallti dhe karton i kuq për mbrojtësin madrilen. Mesi nuk gabon: 1-0.

Goli i pësuar çorodit "mbretërit”, që gjithsesi, me kalimin e minutave, e marrin veten dhe shfaqen kërcënues në portën e Valdesit. Përpjekjet e tyre shpërblehen në minutën e 81-të, kur Dani Alvesh ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Marselos në zonë dhe gjyqtari tregon për të dytën herë pikën e bardhë. Ronaldo i përgjigjet Mesit, mposht Valdesin dhe barazon: 1-1.

Pas këtij çasti sfida ndizet në maksimum, me raste sa nga njëra portë në tjetrën. Por portierët janë në lartësinë e duhur dhe përgjigjen në apel kur u kërkohet. Barazimi përfundimtar u buzëqesh katalanasve, që ruajnë distancën prej tetë pikësh kundër rivalëve të përjetshëm.

Kurse për Realin, kjo ishte një fije shprese se mund të duelojë me kampionët e Spanjës në fuqi si i barabartë në tri sfidat e ardhshme njëra pas tjetrës. Të mërkurën mbrëma do të diskutohet në "Mestaja” të Valencias trofeu i Kupës së Mbretit, ndërsa më 27 prill e 3 maj do të luhen gjysmëfinalet në Ligën e Kampionëve.
Views: 498 | Added by: ONO | Rating: 0.0/0
Total comments: 0
§